Trupi Gjykues sot shqiptoi aktgjykimin në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit ishin penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar kundër 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.
Trupi Gjykues i shpalli të akuzuarit të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi Prokurori i Specializuar nuk arriti të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer sulm i përhapur gjerësisht ose sistematik
kundër një popullate civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.
Trupi Gjykues dënoi Hashim Thaҫin me 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet burgim, Rexhep Selimin me 13 vjet burgim dhe Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Gjykatësit konstatuan se gjatë konfliktit në Kosovë, z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi dhanë kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët të shënjestrimit të atyre që konsideroheshin si
kundërshtarë të qëllimeve politike dhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë shqiptarë të Kosovës që kishin lidhje me forca politike ose ushtarake të tjera, si LDK-ja dhe FARK-u; persona që pretendohej se kishin lidhje me autoritetet e RFJ-së/Serbisë, dhe anëtarë të caktuar të pakicave të tjera
etnike, ndër të cilët një numër romësh dhe serbësh.
Shënjestrimi i këtyre kundërshtarëve mori formën e vrasjeve; arrestimeve dhe ndalimeve pa proces ligjor të rregullt; keqtrajtimit fizik dhe psikologjik; si dhe forma të tjera të keqtrajtimit, frikësimit dhe ngacmimit. Me përjashtime të kufizuara, Trupi Gjykues konstatoi se nuk kishte prova se ndonjë prej viktimave kishte qenë
përfshirë në veprimtari kriminale, kishte marrë pjesë aktive në luftime, apo përbënte ndonjë shqetësim legjitim tjetër të sigurisë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Shumica e gjerë e tyre ishin civilë të pafajshëm të cilët u bënë viktima të zbatimit të planit kriminal të përbashkët, në të cilin u cilësuan – shpesh
në mënyrë të rreme dhe përgjithësisht pa ndonjë bazë – si kolaboracionistë ose spiunë.
Shumë viktima treguan për pasojat afatgjata psikologjike dhe fizike të vuajtjeve të tyre.
Gjatë përcaktimit të dënimit, Trupi Gjykues vlerësoi me hollësi faktet përkatëse, peshën e krimeve, llojin dhe
shkallën e përfshirjes personale të secilit prej të akuzuarve, si edhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Trupi
Gjykues gjithashtu mbajti parasysh se disa viktima ishin veçanërisht të cenueshme, për shembull për shkak
të moshës së tyre apo për arsye se u detyruan të shihnin keqtrajtimin ose vrasjen e anëtarëve të familjeve të
tyre.
Gjatë seancës, Kryegjykatësi theksoi se gjykimi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur, por me përdorimin e mjeteve të caktuara kriminale nga
disa anëtarë të saj për realizimin e këtyre qëllimeve. Kryegjykatësi gjithashtu shpjegoi se gjykimi nuk kishte
të bënte me krimet që, padyshim, forcat dhe paraushtarakët serbë kryen kundër shqiptarëve të Kosovës.
Gjykimi kishte të bënte vetëm me pyetjet nëse ishin kryer krimet e pretenduara në Aktakuzë dhe nëse të
akuzuarit mund të mbaheshin penalisht përgjegjës për to.
Roli i secilit prej të akuzuarve
Në lidhje me Hashim Thaçin, Trupi Gjykues konstatoi se, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe si shef i
Drejtorisë Politike, ai ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët që përfshinte
ngritjen e objekteve të ndalimit; identifikimin e personave që konsideroheshin si kundërshtarë të UÇK-së;
arrestimin dhe ndalimin e tyre; dhe, nëse ishte e nevojshme, vrasjen e tyre.
Këtu përfshihej shënjestrimi i “kolaboracionistëve” të pretenduar, krijimi i strukturës, organeve kompetente
dhe rregulloreve për këtë qëllim, dhe përdorimi i “luftës speciale” kundër kundërshtarëve, përfshirë përmes
publikimit të komunikatave dhe deklaratave politike e deklaratave të tjera publike ku shprehej tolerancë dhe
inkurajim për kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve.
Trupi Gjykues më tej konstatoi se Hashim Thaçi gjithashtu mori pjesë personalisht në krime, përfshirë në
arrestimin, ndalimin arbitrar dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve, dhe në arrestimin, ndalimin,
transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit. Ai gjithashtu përhapi informacion të rremë për të
ndaluarit dhe viktimat e krimeve të kryera nga anëtarë të UÇK-së, dha garanci të rreme për respektimin e të
drejtës humanitare ndërkombëtare në emër të UÇK-së, si dhe kontribuoi në politikën e mosndëshkimit në
lidhje me kryesit e krimeve kundër kundërshtarëve.
Në lidhje me Kadri Veselin, Trupi Gjykues konstatoi se, si shef i Drejtorisë së Zbulimit, ndër përgjegjësitë
kryesore kishte identifikimin, sigurimin e informacionit, vëzhgimin dhe neutralizimin e personave që dyshohej
se ishin “kolaboracionistë”.
Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se z. Veseli u përfshi personalisht në procesin e identifikimit dhe
shënjestrimit të kundërshtarëve, shumë prej të cilëve në fund u vranë. Trupi Gjykues theksoi në këtë kontekst
se i ashtuquajturi informacion zbulimi mbi bazën e të cilit shumë prej viktimave u arrestuan, u ndaluan dhe
u vranë, nuk ishte më shumë se thjesht thashetheme të paverifikuara.
Trupi Gjykues arriti në konstatimin se pozita zyrtare e Rexhep Selimit si inspektor i përgjithshëm i dha atij më
pak pushtet mbi anëtarët e tjerë të UÇK-së në dallim nga të akuzuarit e tjerë. Paneli megjithatë konstatoi se,
si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe si shef i Drejtorisë Operative dhe inspektor i përgjithshëm i UÇK-së, ai
nuk siguroi që UÇK-ja të vepronte në përputhje me detyrimet e saj sipas të drejtës humanitare
ndërkombëtare, dhe, përkundrazi, toleroi shkelje të rënda të kësaj të drejte. Paneli gjithashtu konstatoi se z.
Selimi mori pjesë në arrestimin dhe ndalimin e 13 parlamentarëve dhe kontribuoi në zbatimin e ndërmarrjes
kriminale të përbashkët në mënyra të tjera të ndryshme.
Në lidhje me rolin e Jakup Krasniqit, Trupi Gjykues konstatoi se, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe i
Drejtorisë Politike, dhe si zëdhënës dhe zëvendëskomandant i UÇK-së, ai ishte anëtar kyç në formulimin dhe
zbatimin e politikës së shënjestrimit të kundërshtarëve. Në veçanti, përmes publikimit të komunikatave dhe
deklaratave politike e fjalimeve publike të tjera, si edhe urdhrave, z. Krasniqi inkurajoi kryerjen e krimeve
kundër personave që konsideroheshin si kundërshtarë, përfshirë përmes “luftës speciale” të UÇK-së. Në këto
deklarata, ndër të tjera, u mor përsipër përgjegjësia për vrasjen e, dhe “masat ndëshkuese” kundër,
“kolaboracionistëve” dhe u shpreh inkurajim dhe tolerancë për krimet, si, për shembull, “kolaboracionistët
paralajmërohen se do t’i vrasim nëse vazhdojnë në rrugën e gabuar”.
Atmosfera e frikësimit të dëshmitarëve
Trupi Gjykues nënvizoi se gjykimi u zhvillua në një atmosferë të vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve.
Disa dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në mënyrë oportuniste tërhoqën deklaratat e dhëna në të kaluarën,
shmangën dhënien e detajeve themelore nga dëshmitë e mëparshme, gënjyen Trupin Gjykues, recituan fjali
të mësuara paraprakisht ose ndryshuan dëshmitë që kishin dhënë më parë
Megjithatë, Trupi Gjykues pranoi se shumica e dëshmitarëve që u paraqitën para Trupit Gjykues e bënë këtë
me shumë guxim dhe vendosmëri; disa dëshmitarë e bënë këtë përkundër frikësimit dhe përpjekjeve për t’i
shkurajuar që të dëshmonin.
Historiku i çështjes gjyqësore
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator
2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt
2023.
Pas arrestimit të tyre prej Prokurorit të Specializuar, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup
Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 4 dhe
5 nëntor 2020.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratën hyrëse të Prokurorisë. Prokuroria mbylli paraqitjen e provave të
saj më 15 prill 2025. Mbrojtja e Viktimave që përfaqëson 156 viktimat pjesëmarrëse paraqiti provat e veta
në korrik 2025, kurse Mbrojtja e Thaçit dhe Mbrojtja e Krasniqit paraqitën provat e tyre midis shtatorit dhe
dhjetorit 2025. Trupi Gjykues mbylli procedurën e paraqitjes së provave më 19 dhjetor 2025 dhe deklaratat
përmbyllëse u paraqitën prej 9 deri më 18 shkurt 2026.
Gjatë gjykimit, Trupi Gjykues mori provat e 273 dëshmitarëve, si në gjykatë ashtu dhe me shkrim. Trupi
Gjykues pranoi 5467 prova materiale. Trupi Gjykues bëri konstatim gjyqësor për 1017 fakte të shqyrtuara në
procese të tjera dhe për 29 fakte të pranuara. Gjithashtu, numri i faqeve të transkriptit në këtë proces
gjyqësor arriti në 29238 faqe.
