Edhe pse vendi ynë nuk ka një industri të zhvilluar në përmasat e ekonomive të mëdha europiane, ajo renditet ndër vendet me pasojat më të rënda shëndetësore nga ndotja e ajrit.
Me 121 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, vendi është i pesti në Evropë për vdekshmërinë që i atribuohet ekspozimit ndaj grimcave të imëta PM2.5, sipas të dhënave të fundit të Eurostat për vitin 2023.
Nivele më të larta se Kosova regjistrohen në Shqipëri, me 129 vdekje, Maqedoninë e Veriut, me 146 vdekje për 100 mijë banorë, Bosnjë-Hercegovinë, me 139, dhe Serbia, me 132.
Të dhënat tregojnë një ndarje të fortë mes Ballkanit dhe pjesës veriore e perëndimore të Europës.
Pas Kosovës renditet Mali i Zi e cila regjistron 89 vdekje, ndërsa Kroacia 75.
Edhe vendet fqinje të Bashkimit Europian paraqiten me nivele të larta: Bullgaria ka 104 vdekje për 100 mijë banorë, Greqia 98 dhe Rumania 74.
Në skajin tjetër të renditjes janë vendet nordike. Finlanda regjistron vetëm një vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, Suedia dy, Estonia tri dhe Norvegjia katër. Në Islandë treguesi është zero.
