BNA mban Kuvendin e II-të Zgjedhor, zgjidhen drejtuesit për mandatin e ri

IMG 9101 scaled

27 Mars 2026 / Hotel Astoria – Gjilan

Bashkimi për Ndryshim Anamorava (BNA) ka zhvilluar sot Kuvendin e II-të Zgjedhor, një nga momentet më të rëndësishme organizative të subjektit, ku u vulosën strukturat udhëheqëse për fazën e ardhshme politike, shkruan SOT Post.

Në një atmosferë mobilizuese dhe me pjesëmarrje të gjerë të delegatëve, Kuvendi mblodhi 75 pjesëmarrës, ndër ta të rinj e të reja si dhe delegatë nga KQZ, duke dëshmuar interesim dhe përfshirje të gjerë në procesin zgjedhor të brendshëm. Gjatë punimeve u miratua përbërja e organeve kryesore drejtuese. U zgjodh Kryesuesja e Kuvendit Xhemile Haliti, ndërsa Kryetari Isa Agushi, mori besimin për një mandat të dytë drejtues. Po ashtu, u votuan edhe 31 anëtarët e Këshillit, organi më i lartë vendimmarrës ndërmjet dy kuvendeve, raporton SOT Post.

Ky kuvend u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të strukturës dhe rritjes së rolit politik të BNA në Anamoravë, me theks të veçantë në zgjerimin e mbështetjes qytetare dhe përgatitjen për sfidat politike të periudhës së ardhshme.

Kryesuesja e re e Kuvendit, Xhemile Haliti, në fjalën e saj para delegatëve, theksoi rëndësinë e unitetit dhe punës së përbashkët:

“Ky është një moment përgjegjësie dhe besimi. Kuvendi do të jetë hapësirë e debatit konstruktiv, transparencës dhe vendimmarrjes që reflekton interesin e qytetarëve të Anamoravës.”

Ndërkaq, Kryetari i rizgjedhur Isa Agushi falënderoi delegatët për besimin e dhënë për mandatin e dytë, duke theksuar vazhdimësinë e angazhimit politik:

“Besimi juaj është përgjegjësi e madhe për të vazhduar rrugën që kemi nisur. Mandati i ri do të jetë mandat pune, zgjerimi dhe afrimi edhe më i madh me qytetarët, me synimin për ndryshimin që Anamorava e meriton.”

Gjithashtu u bë e ditur se shumë shpejt Këshilli i sapozgjedhur do të mblidhet për të votuar edhe strukturat e tjera të subjektit, duke përmbyllur kështu procesin e plotë të organizimit të brendshëm.

Kuvendi përmbylli punimet me mesazhin për unitet, vazhdimësi dhe intensifikim të angazhimit politik në shërbim të qytetarëve./SOTPost

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts