Vrasja e 25-vjeçarit në Itali/ Zbardhen detaje të reja: Arma ishte vjedhur…

auto omicidio di san valentino la pistola rubata in zona1774083906

Hetimet për vrasjen e 25-vjeçarit Kevin Muharremi vijojnë intensivisht, ndërsa autoritetet po hedhin dritë mbi rrethanat e krimit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të Shën Valentinit, në Montecalvoli.

Sipas mediave italiane, viktima, punëtor në një lavazh automjetesh dhe banues në Fucecchio, u qëllua për vdekje pas një konflikti që dyshohet se kishte nisur më herët në një lokal nate dhe ishte përshkallëzuar më pas në përplasje me armë.

Në pranga për ngjarjen ndodhet një 20-vjeçar shqiptar, Renato Xyke, i cili akuzohet si autori i vrasjes. Ai është marrë në pyetje nga hetuesit dhe ka pranuar se ka qëlluar, ndërsa pritet të pyetet sërish në vijim të hetimeve, për shkak të provave dhe dëshmive të reja të mbledhura.

Sipas hetimeve paraprake, gjatë natës janë qëlluar pesë plumba me një pistoletë gjysmë automatike Beretta 7.65, e cila rezulton të ketë qenë e vjedhur në vitin 2024 në zonën Empolese Valdelsa, nga një banesë ku mbahej në mënyrë të ligjshme. Ende mbeten të paqarta rrethanat se si arma përfundoi në duart e të riut.

Autopsia ka konfirmuar se një nga plumbat e ka goditur viktimën në qafë, duke i shkaktuar vdekjen. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse mes viktimës dhe autorit ka pasur konflikte të mëparshme, përtej debatit të asaj nate.

Në momentin e ngjarjes, 20-vjeçari nuk ishte i vetëm. Ai drejtonte një automjet tip “Range Rover Evoque” dhe shoqërohej nga tre persona të tjerë. Një 18-vjeçar është aktualisht nën hetim në gjendje të lirë për bashkëpunim në vrasje, por ka mohuar përfshirjen dhe ka deklaruar se nuk kishte dijeni për armën. Dy personat e tjerë nuk janë nën hetim.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivin dhe dinamikën e krimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts