Policia e Thüringenit ka zbuluar sërish një plantacion profesional kanabisi. Në të njëjtën kohë u kontrollua edhe adresa e banimit e pronarit të ndërtesës pranë Frankfurtit.
Në Kirchworbis, në rajonin Eichsfeld, policia zbuloi të enjten një plantacion kanabisi. Një shqiptar 43-vjeçar u arrestua, pasi sipas policisë dyshohet fort se ai e kishte ngritur dhe drejtuar plantacionin. Ai pritet të dalë të premten para një gjykatësi për masën e paraburgimit.
Rruga kryesore në Kirchworbis e bllokuar për orë të tëra
Hetuesit e policisë kriminale të Nordhausen kontrolluan herët në mëngjes të enjten një ndërtesë në Kirchworbis. Atje zbuluan një plantacion profesional për kultivimin e kanabisit. U sekuestruan edhe prova materiale.
Në operacion morën pjesë, përveç policisë kriminale të Nordhausen, edhe efektivë të policisë së gatshme të Thüringenit si dhe forca speciale të Zyrës Kriminale të landit Thüringen. Gjatë operacionit, nga ora 6 deri në 11, rruga kryesore në Kirchworbis ishte e bllokuar.
Operacion policor në Thüringen dhe Hessen
Në të njëjtën kohë, policia kontrolloi edhe adresën e banimit të pronarit të ndërtesës në një qytet të vogël në landin Hessen, pranë Frankfurtit. Atje u gjetën disa persona, por nuk pati arrestime. Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Prokurorinë e Mühlhausen.
Vetëm në janar, policia e Thüringenit kishte zbuluar plantacione kanabisi në Eichsfeld dhe në qarkun Sömmerda.
Dyshimet bien mbi mafien shqiptare.