Nga 23 nëntori nisin pagesat e menjëhershme në Kosovë, transferet do të kryhen brenda sekondave

Kosova po përgatitet të hyjë në një fazë të re të shërbimeve bankare, me fillimin e zbatimit gradual të sistemit të pagesave të menjëhershme TIPS-K nga 23 nëntori 2026.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka miratuar dy udhëzues të rëndësishëm që plotësojnë kornizën rregullative dhe përcaktojnë kushtet për funksionimin e këtij sistemi.

Sistemi TIPS-K do të mundësojë realizimin e pagesave dhe transfereve të parave brenda disa sekondave, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, duke përfshirë edhe fundjavat dhe festat zyrtare.

Sipas BQK-së, zbatimi do të bëhet gradualisht gjatë një periudhe kalimtare prej tre muajsh, gjatë së cilës bankat do të integrohen në sistemin e ri.

Nga 23 shkurti 2027, të gjitha bankat pritet të jenë pjesëmarrëse në sistem, duke mundësuar qasje më të gjerë për qytetarët dhe bizneset në këtë shërbim.

Përveç shpejtësisë së transfereve, sistemi synon të rrisë sigurinë e pagesave, të përmirësojë efikasitetin e shërbimeve financiare dhe të nxisë konkurrencën në sektorin bankar.

Ky zhvillim është pjesë e reformave të Bankës Qendrore për modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Kosovë dhe përafrimin e saj me standardet evropiane.

Burimi: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *