Qeveria e Kosovës ndalon tregtinë e energjisë elektrike me kompani të lidhura me Serbinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me ndërmarrje të caktuara që kanë lidhje pronësore ose organizative me Serbinë.

Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë më 16 nëntor 2026 dhe përfshin ndalimin e blerjes, shitjes, importit dhe eksportit të energjisë elektrike me këto kompani, përfshirë edhe transaksionet që realizohen përmes vendeve të treta.

Sipas vendimit, Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës obligohet të identifikojë ndërmarrjet që kanë veprimtari në sektorin e energjisë elektrike dhe që kanë kompani amë të regjistruara në Serbi, degë të kompanive serbe apo lidhje të drejtpërdrejta dhe të tërthorta me persona fizikë ose juridikë të regjistruar atje.

Megjithatë, vendimi parasheh përjashtime për transaksionet që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit për Energjinë e vitit 2013 dhe dokumentet përcjellëse të zbatimit të saj.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se masa lidhet me bllokimin e dy linjave të interkoneksionit prej 400 kilovoltësh nga Serbia, të cilat janë të rëndësishme për transitin e energjisë elektrike nga vendet e tjera drejt Kosovës.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria miratoi edhe masa emergjente për furnizimin me energji, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit.

Po ashtu, KEK-ut i është caktuar obligimi për sigurimin e kapaciteteve të transmetimit ndërkufitar, me qëllim adresimin e mungesës së planifikuar të prodhimit nga njësia B1 e termocentralit Kosova B.

Burimi: Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *