Të paktën 64 rrugë alternative që lidhin veriun e Kosovës me Serbinë vazhdojnë të jenë të kalueshme, më shumë se tre vjet pas sulmit të armatosur në Banjskë. Këto rrugë, të cilat shmangin pikat zyrtare kufitare, dyshohet se përdoren për kontrabandimin e mallrave dhe kalimin ilegal ndërmjet dy vendeve.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga Radio Evropa e Lirë më 9 nëntor, përmes këtyre rrugëve në Kosovë futen produkte të ndryshme, përfshirë materiale ndërtimore, ushqime, cigare, veshmbathje, pajisje elektrike, parfume dhe produkte farmaceutike.
Rrugët alternative gjenden kryesisht në zona malore dhe pyjore, ku terreni e vështirëson kontrollin e plotë nga institucionet përgjegjëse. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, këto kalime identifikohen dhe monitorohen vazhdimisht, por mbyllja e tyre mbetet sfiduese, pasi në terren hapen vazhdimisht rrugë të reja.
Pas sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, Policia e Kosovës kishte njoftuar për mbylljen e më shumë se 20 rrugëve të tilla. Megjithatë, numri i kalimeve që vazhdojnë të jenë të qasshme tregon se problemi nuk është eliminuar.
Shqetësimet për këto rrugë nuk lidhen vetëm me humbjet ekonomike nga kontrabanda. Sipas autoriteteve të Kosovës dhe aktakuzës për rastin e Banjskës, rrugët alternative ishin përdorur edhe për futjen e armëve që u përdorën gjatë sulmit të 24 shtatorit 2023.
Një aksion kundër kontrabandës, i zhvilluar më 22 tetor në disa lokacione në veri, rezultoi me shoqërimin e dhjetë personave për intervistim dhe sekuestrimin e mallrave me vlerë mbi 200 mijë euro.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se nga janari i vitit 2024 deri në tetor të vitit 2026 ka trajtuar 106 raste të kontrabandës së mallrave. Për 81 prej tyre është arritur një epilog procedural.
Ekspertët e sigurisë kërkojnë bashkëpunim më të madh ndërmjet Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe institucioneve të tjera për të parandaluar shfrytëzimin e këtyre kalimeve për kontrabandë dhe aktivitete të tjera të paligjshme.
Nga ana tjetër, KFOR-i ka theksuar se ekzistenca e një rruge alternative nuk nënkupton automatikisht se ajo përdoret për veprimtari të paligjshme, duke rikujtuar se përgjegjësinë kryesore për zbatimin e ligjit në Kosovë e ka Policia e Kosovës.


Leave a Reply