Marta Kos: Bllokada institucionale e ngadalësoi Kosovën në reformat evropiane, BE-ja pret përparim

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se ngërçi institucional në Kosovë ka ndikuar drejtpërdrejt në zbatimin e reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian.

Duke folur gjatë prezantimit të paketës së zgjerimit të Bashkimit Evropian për vitin 2026, Kos ka theksuar se Kosova ka mbetur e përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe se mbështetja e qytetarëve për integrimin në BE vazhdon të jetë e lartë. Megjithatë, sipas saj, zhvillimet politike dhe mungesa e stabilitetit institucional gjatë periudhës raportuese kanë penguar zbatimin e reformave të nevojshme.

Komisionerja evropiane ka përshëndetur zhvillimet e fundit institucionale në Kosovë, përfshirë zgjedhjen e presidentes së re, duke shprehur pritjen që stabiliteti i rikthyer të krijojë kushte për përshpejtimin e procesit reformues.

“Bllokada institucionale ka ndikuar në zbatimin e reformave që lidhen me Bashkimin Evropian gjatë periudhës raportuese. Megjithatë, së fundmi Kosova ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave”, është shprehur Kos.

Mesazhi i Brukselit vjen në një moment kur Kosova përballet me sfida të rëndësishme në rrugën drejt integrimit evropian. Përtej stabilitetit politik, vendi duhet të dëshmojë rezultate konkrete në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve, drejtësinë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.

Tashmë, me institucionet e konsoliduara, përgjegjësia për zbatimin e reformave bie mbi institucionet e Kosovës. Pritjet e Bashkimit Evropian janë që stabiliteti i ri politik të përkthehet në rezultate konkrete dhe jo të mbetet vetëm një zhvillim formal institucional.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *