Vjen dorëheqja e parë nga PDK

Ridvan Pacolli ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së PDK-së në Kanada.

Postimi:

Të nderuar anëtarë të Kryesisë Qendrore të PDK-së,

Të nderuar bashkëpartiakë dhe struktura drejtuese,

Me këtë shkrim ju njoftoj për dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Kryetarit të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Kanada.

Ky vendim nuk ka qenë aspak i lehtë për mua, pasi angazhimi im në kuadër të PDK-së ka qenë gjithmonë i ndërtuar mbi bindje të thella politike, përgjegjësi morale dhe përkushtim të sinqertë ndaj vizionit dhe vlerave të partisë. Megjithatë, rrethanat aktuale dhe zhvillimet e vazhdueshme më detyrojnë ta marr këtë hap me ndjenjë të thellë zhgënjimi dhe pakënaqësie.

Për një periudhë të gjatë kohore, degët e PDK-së në diasporë, përfshirë edhe degën në Kanada, nuk kanë gëzuar përkrahjen e nevojshme nga qendra dhe nga strukturat përkatëse partiake. Mungesa e komunikimit, mbështetjes institucionale dhe angazhimit konkret ndaj diasporës ka krijuar një hendek të thellë mes kontributit të mërgatës dhe vëmendjes që ajo ka marrë nga udhëheqja qendrore e partisë.

Diaspora ka qenë dhe mbetet një shtyllë e rëndësishme e PDK-së dhe e shtetit të Kosovës. Për fat të keq, kjo rëndësi nuk është reflektuar në veprime konkrete, as në strategji afatgjata dhe as në përkrahje reale për degët tona jashtë vendit.

Gjithashtu, rezultati i zgjedhjeve të ditës së sotme, i shpallur nga ex-poll-et, përbën një tjetër moment reflektimi dhe dëshmi se është e domosdoshme një qasje më serioze, më gjithëpërfshirëse dhe më e përgjegjshme ndaj të gjitha strukturave të partisë, përfshirë edhe diasporën.

Dorëheqja ime është një akt proteste dhe ndërgjegjeje, si shprehje e pakënaqësisë sime me gjendjen aktuale dhe me mënyrën se si është trajtuar kontributi i degëve në diasporë. Ky vendim nuk buron nga mungesa e dashurisë për PDK-në, por pikërisht nga përgjegjësia dhe respekti që kam për të dhe për anëtarësinë e saj.

Uroj kjo dorëheqje të shërbejë si një mendim për reflektimin e thellës dhe për ndryshimet që lidhen me funksionimin dhe raportin e partisë me diasporën.

Ju falënderoj për bashkëpunimin e deritanishëm dhe uroj PDK-ja të gjejë forcën për t’u rikthyer më e bashkuar, më e drejtë dhe më shumë anëtarë të saj që ndodhin.

Me respekt të veçantë,

Ridvan Pacolli

Ish-Kryetar i Degës së PDK-së në Kanada.

Exit mobile version