Rritet paga minimale në Kosovë: Nga janari 2026, bëhet 425 euro bruto, nga korriku 500 euro

Albin Kurti, Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës) ka njoftuar se paga minimale në vend do të pësojë rritjen e radhës, duke ndikuar drejtpërdrejt tek rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat. Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se nga muaji i ardhshëm paga minimale do të kalojë nga 350 euro bruto në 425 euro, ndërsa faza e dytë e zbatimit hyn në fuqi më 1 korrik, duke e çuar këtë pagë në 500 euro, sipas vendimit të miratuar më herët nga Qeveria.

Sipas Kurtit, kjo lëvizje shënon një tjetër hap në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe standardit të punëtorëve, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ndryshim të rastësishëm, por për një reformë të qëndrueshme të tregut të punës.

Ai rikujtoi se paga minimale në Kosovë kishte mbetur e pandryshuar për më shumë se një dekadë, në nivelet 130/170 euro, derisa Qeveria aktuale nisi procesin e rritjeve graduale.

“Brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë”, tha Kurti, duke e quajtur këtë një arritje të rëndësishme për punëtorët dhe ekonominë e vendit.

Rritja e pagës minimale pritet të ndikojë pozitivisht në fuqinë blerëse të qytetarëve, të ulë varfërinë dhe të krijojë një shtysë të re për tregun e punës, ndërsa bizneset duhet të përshtaten gradualisht me fazat e reja të zbatimit.

Exit mobile version