Mbahet edicioni i 20 i Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashtica” në Preshevë

Të hënën me 15 dhjetor hapet edicioni i 20 i Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashtica” në Preshevë, i cili do të përfundon me 20 dhjetor.

Drejtori i Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashtica” në Preshevë, Naser Nuredini, tha se në këtë festival marrin pjesë trupat teatrore nga të gjitha trojet shqiptare, si nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Teatri i Preshevës.

Sipas tij festivali ka karakter garues, kurse për çmimet e festivalit vendos juria profesionale e caktuar nga organizatori.

“Këtë vit realizohet edicioni i 20-të i festivalit, një jubile shumë i rëndësishëm kulturor”, tha Naser Nuredini.

Drejtori më tej shtoi se për të gjithë artdashësit me programin e Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare”-Presheva 2025, se nga 15 dhjetori për gjashtë ditë radhazi Teatri i Qytetit, janë mikpritësit e preshevarëve dhe mysafirëve nga gjithë anët e shqiptarisë.

“Ejani të qeshim së bashku”, tha drejtori Naser Nuredini.

Hapja e festivalit nisë me shfaqjen “Vetmi në perëndim” me autor Martin Mcdonagh dhe regji të Afeida Boriçit nga Shtëpia e Kulturës- Tetarit të Qytetit “Abdulla Krashtica” nga Presheva.

Të martën, jepet shfaqja “ART” nga Yasmina Reza, regjisor Bashkim Ramadani, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Të mërkurën jepet shfaqja “Njeriu që pa vdekjen me sy” me autor Viktor Eftimiu, nën regji të Elmir Sejfullait, e cila vihet në skenë nga Teatri i Gostivarit.

Të enjtet shfaqet “Gënjeshtra” me autor Florian Zeller dhe regji të Ekrem Sopit, nga Teatri i Gjilanit.

Të premten jepet shfaqja “Dramë për të qeshë”, me autor dhe regjisor Sulejman Rushiti nga Teatri i Tetovës.

Të shtunën edicioni i 20-të i festivalit, mbyllet me shfaqjen “Komisar Daltoniko në Teatër”, një prodhim i Qendrës teatrore Naun Shundi-Zonja e Bujtinës nga Tirana me tekst të dramaturgut italian Giuseppe Della Misericordia me përshtatje dhe regji nga Naser Shatrollit.

Exit mobile version