Mustafa: E përkah vizionin politik të Kurtit

Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit dhe njëherësh i pari kryetar i zgjedhur me votë të lirë nga qytetarët, jo nga sistemi administrativ i asaj kohe, Qemajl Mustafa, ka folur ekskluzivisht për SOT Post, duke sqaruar zërat e fundit për një rikthim të tij në skenën politike.

Në fillim të intervistës, Mustafa shprehu falënderim dhe mirënjohje për redaksinë, duke vlerësuar gatishmërinë e gazetarëve për informim të drejtë, të saktë e profesional.

Përvoja politike dhe raporti me zhvillimet e sotme

I pyetur nëse përvoja e tij politike do të ishte e përshtatshme për skenën aktuale politike, ai u shpreh:

“Mendoj se po… Kam kaluar shumë sfida në politikë, kam mësuar shumë nga përpjekjet e të tjerëve dhe nga angazhimi im. Kam pasur vizion të qartë, ashtu sikur edhe Albin Kurti e ka tani. Vullneti për punë gjithmonë ka ekzistuar, ashtu kërkohet edhe sot.”


Gjatë intervistës, Mustafa disa herë potencoi se qeverisja e viteve të fundit nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti ka qenë “në nivelin e duhur”, duke e vlerësuar si qeveri me vizion të qartë, pavarësisht pengesave të shumta në politikëbërje.

A ka pasur bisedime me partitë politike?

Sa i përket zërave për bashkim me ndonjë subjekt politik, Mustafa sqaron:

“Jo, bisedime nuk kemi pasur, por kam pas oferta të sinqerta dhe të drejtpërdrejta nga AAK, nga NISMA, madje edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Por jo, nuk kemi zhvilluar diçka më shumë.”

A do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit?

I pyetur drejtpërdrejt për mundësinë që të jetë pjesë e listave zgjedhore, ish-kryetari Mustafa thotë:

“Jo, për momentin nuk ka asgjë konkrete. Nuk jam në asnjë listë për deputet. Momentalisht jam kështu, por të ardhmes nuk i dihet. Do kisha hyrë në listën e Vetëvendosjes. Unë ndoshta mund të fitoj edhe nëse dal si kandidat i pavarur, por një gjë duhet ditur: unë gjithmonë do e pëlqej vizionin e Albin Kurtit.”


Që nga vlerësimet për qeverisjen aktuale, deri te gatishmëria për t’u angazhuar në politikë në të ardhmen, Qemajl Mustafa mbetet një figurë e hapur ndaj zhvillimeve politike, por pa vendime konkrete në këtë moment. Ai lë të kuptohet se rikthimi i tij në politikë mund të ndodhë, por se çdo hap i tij do të reflektojë parimet dhe vizionin që ai thotë se e ka ndarë me Kryeministrin Kurti, shkruan SOT Post.

Exit mobile version